Botë

MUSLIU: POPULLI NUK U PËRÇA VETË, POR NGA POLITIKA E FËLLIQUR DHE GJUHA E URREJTJES Deputetja e Partia Demokratike e…

09.01.2026. 2 min čitanja

MUSLIU: POPULLI NUK U PËRÇA VETË, POR NGA POLITIKA E FËLLIQUR DHE GJUHA E URREJTJES

Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie nga vërshimet e fundit në Skenderaj, ku ishte shkruar mbishkrimi ofendues “Cofni tash”.

Musliu ka theksuar se kjo nuk është thjesht një fotografi me një mbishkrim të ulët, por pasojë direkte e një urrejtjeje të kultivuar ndër vite nga politika e papërgjegjshme dhe gjuha përçarëse.

“Populli ynë nuk u përça vetë. Ai u përça nga politika e fëlliqur, nga individë që jetuan duke mbjellë ndarje për të fituar pushtet, ndikim dhe vëmendje. Kush e solli popullin tonë deri në këtë pikë? Politikanë të dështuar, zëra të papërgjegjshëm dhe individë pa busull morale, që urrejtjen e përdorën si mjet për pushtet dhe klikime,” ka deklaruar Musliu.

Ajo ka kritikuar ashpër normalizimin e talljes dhe cinizmit, duke theksuar se përmes kësaj gjuhe është vrarë empatia dhe është shkatërruar ndjenja e përbashkësisë shoqërore.

Sipas saj, tallja është kthyer në armë politike, ndërsa fatkeqësia e tjetrit është përdorur si kapital moral dhe politik.

“Jo humor. Jo satirë. Por mungesë empatie dhe shkatërrim i ndjenjës së përbashkët. Ky popull nuk ka nevojë për më shumë përbuzje, por për një pastrim moral nga gjuha e urrejtjes që na është shitur si guxim,” ka shkruar Musliu në reagimin e saj.

Reagimi i deputetes së PDK-së ka nxitur diskutime të gjera në opinion, duke rikthyer në vëmendje pasojat e diskursit përçarës politik dhe nevojën për përgjegjësi publike në momente krizash dhe fatkeqësish natyrore.

— Dragash Info

Original Facebook objava