Botë

“Mos lësho pe as çeshmën” – Pas rrymës, nga 1 janari shtrenjtohet edhe uji Pas rritjes së çmimit të energjisë elektri…

02.01.2026. 2 min čitanja

“Mos lësho pe as çeshmën” – Pas rrymës, nga 1 janari shtrenjtohet edhe uji

Pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës do të përballen edhe me rritje të tarifave të ujit, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2026.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka njoftuar se ka publikuar Urdhëresat e reja Tarifore për shërbimet e ujit të pijshëm, ujërave të ndotura, ujit të trajtuar me shumicë dhe ujit të patrajtuar me shumicë, të vlefshme për vitin 2026.

Sipas ARRU-së, këto urdhëresa do të zbatohen për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU) në Kosovë, si dhe për Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc”, për tarifën e ujit të shitur me shumicë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se tarifat e reja janë miratuar në përputhje me misionin rregullator të ARRU-së, duke u bazuar në:

qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve,
përballueshmërinë për konsumatorët,
dhe përmirësimin e performancës dhe efikasitetit të sektorit të ujit.

ARRU thekson se rritja e tarifave është ndikuar kryesisht nga rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike, si dhe nga rritja e kostove operative dhe investive, përfshirë mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Miratimi i tarifave është bërë me qëllim të mbulimit të kostove dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve të ujit dhe ujërave të ndotura”, thuhet në njoftim.

Tutje, ARRU sqaron se procesi tarifor është zhvilluar me transparencë dhe konsultime me palët e interesit, me synim balancimin e interesit publik dhe atij të konsumatorëve, si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të sektorit të ujit.

Sipas tarifave të miratuara, fatura mesatare mujore për një konsumator shtëpiak, me konsum rreth 10 metra kub ujë, do të jetë 8.17 euro pa TVSH në vitin 2026.

Tarifat e reja do të aplikohen nga 1 janari 2026.

Original Facebook objava