Mjeku nga Bresana, Dr.
Mjeku nga Bresana, Dr. Amir Vejseli, pjesëmarrës në punëtorinë e parë mjekësore për futbollin kosovar
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me UEFA-n, ka mbajtur sot punëtorinë e parë mjekësore në nivel vendi, duke bashkuar mjekët e ekipeve të Superligës, Ligës së Parë, futbollit të vajzave dhe ekipeve kombëtare.
Një pjesëmarrës i veçantë ishte Dr. Amir Vejseli nga Bresana e Opojes, komuna e Dragashit, i cili u bashkua si mjek i futbollit dhe ndau përvojën e tij profesionale me kolegët e tjerë.
Ai është ndër të parët nga kjo komunë që merr pjesë në një aktivitet të tillë mjekësor me karakter nacional.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit mjekësor në futbollin kosovar dhe vjen si vazhdimësi e projektit të FFK-së për kujdes të shtuar ndaj shëndetit të futbollistëve. Më parë, federata ka dhuruar defibrilatorë për klubet dhe ka punuar për përafrimin e protokolleve mjekësore me standardet më të larta evropiane të UEFA-s.
Punëtorinë e drejtoi ekipi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës, duke përfshirë Dr. Vejselin, Mustafë Januzaj, Argjent Hoti dhe Skifter Imeri. Në fokus të ligjërimeve ishin menaxhimi i atakut kardiak, trajtimi i lëndimeve cervikale, rëndësia e fizioterapisë në futboll, si dhe menaxhimi i lëndimeve të toraksit dhe ekstremiteteve. Pjesa teorike u pasua me ushtrime praktike, duke ofruar qasje konkrete për veprim në situata reale gjatë ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Federata e Futbollit e Kosovës thekson se mbrojtja e shëndetit të futbollistëve është themeli i zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit, dhe ngritja e kapaciteteve të stafit mjekësor mbetet një prioritet strategjik.
— Dragash Info



