Botë

Misini: Mungesa e energjisë elektrike i largon investitorët e huaj nga Kosova Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Shk…

23.01.2026. 3 min čitanja

Misini: Mungesa e energjisë elektrike i largon investitorët e huaj nga Kosova

Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka paralajmëruar se mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike po shndërrohet në një nga pengesat kryesore për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Duke folur në emisionin EURO n’T7, Misini ka theksuar se konkurrenca ndërmjet shteteve sot zhvillohet kryesisht rreth sigurimit të investimeve të huaja, ndërsa furnizimi i qëndrueshëm me energji është kushti bazë që investitorët kërkojnë – kusht që, sipas tij, Kosova aktualisht nuk mund ta përmbushë.

“Lufta më e madhe sot ndër shtete është tërheqja e investitorëve të huaj. Kërkesa e tyre primare është furnizimi i rregullt me energji elektrike, por këtë shteti ynë nuk mund t’ua ofrojë”, ka deklaruar Misini.

Ai ka shtuar se për bizneset nuk mjafton vetëm prania e energjisë, por kërkohet edhe stabilitet i tensionit, pasi rëniet e tensionit mund të shkaktojnë dëme serioze në pajisje dhe teknologji.

Misini ka vënë në pah se pasojat e mungesës së energjisë nuk i ndjejnë vetëm bizneset, por edhe qytetarët.

“Problemet me rrymën krijojnë stres dhe frikë edhe te qytetarët. Mjafton të mbetesh i bllokuar në lift për të kuptuar pasigurinë. Kthehesh nga puna dhe s’ka rrymë, detyrohesh të ushqehesh jashtë, pastaj ndalet edhe uji. Kjo situatë është e tmerrshme për jetën e përditshme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Misini ka theksuar se dallimi i madh mes importit dhe eksportit e obligon shtetin që t’i mbështesë më fuqishëm prodhuesit vendor, ndërsa mungesa e energjisë elektrike po i vendos ata në pozitë të pabarabartë me importuesit.

Sipas tij, ndërprerjet e energjisë rrisin ndjeshëm kostot operative për prodhuesit kosovarë, duke i bërë ata më pak konkurrues në raport me bizneset e rajonit.

“Bizneset në Ballkanin Perëndimor, sa kam informacion, nuk kanë probleme me energjinë elektrike. Ndërsa prodhuesit tanë, për shkak të kostove të shtuara nga mungesa e energjisë, detyrohen t’i rrisin çmimet. Në fund, konsumatori zgjedh produktin më të lirë, që shpesh është i importuar”, ka shtuar Misini.

Në përfundim, ai ka paralajmëruar se nëse problemi i energjisë elektrike nuk zgjidhet, prodhuesit kosovarë do të vazhdojnë të jenë të pabarabartë në tregun vendor dhe shumë prej tyre do të detyrohen ta zhvendosin biznesin në vendet e rajonit.

— Dragash Info

Original Facebook objava