Botë

Mediat gjermane: Fitorja e Kurtit lidhet edhe me mobilizimin e diasporës Mediat kryesore gjermane i kanë kushtuar vëm…

29.12.2025. 3 min čitanja

Mediat gjermane: Fitorja e Kurtit lidhet edhe me mobilizimin e diasporës

Mediat kryesore gjermane i kanë kushtuar vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se rezultati zgjedhor ka rritur shpresat për përfundimin e bllokadës disamujore politike në vend.

Në një analizë të publikuar nga portali gjerman “Tagesschau”, me titull “Kurti triumfon qartë”, thuhet se Vetëvendosje ka shënuar rritje të dukshme të mbështetjes, veçanërisht falë votave të ardhura nga diaspora. Sipas analizës, partia e Kurtit ka kaluar nga rreth 42 për qind në zgjedhjet e shkurtit në afërsisht 50 për qind në këto zgjedhje, çka mund t’i japë fund krizës qeveritare që ka zgjatur më shumë se dhjetë muaj. Megjithatë, theksohet se Kurti nuk mund të qeverisë i vetëm dhe se për formimin e qeverisë i nevojiten edhe votat e komuniteteve pakicë.

Edhe revista e njohur gjermane “Der Spiegel” shkruan se në Kosovë po shfaqen shenja të përfundimit të bllokadës politike. Sipas saj, në Prishtinë po festohet rezultati zgjedhor, ndërsa Kurti ka arritur të sigurojë 56 nga 120 ulëset në Kuvend. Revista vë në pah se kryeministri synon të zvogëlojë ndikimin serb në Kosovë, një qasje që gëzon mbështetje te një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë, por që njëkohësisht përkeqëson tensionet me Beogradin.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung”, në artikullin me titull “Nacionalisti Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë”, shkruan se kryeministri reformist i majtë ka siguruar shumicën dhe, me mbështetjen e minoriteteve, mund të formojë qeverinë e re. Gazeta paralajmëron se në rast të dështimit të formimit të qeverisë, kriza politike mund të hyjë në një fazë kritike, pasi Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri në prill dhe të ratifikojë marrëveshje kredie me BE-në dhe Bankën Botërore në vlerë prej rreth një miliard eurosh. Sipas gazetës, partitë opozitare vazhdojnë të refuzojnë koalicionin me Kurtin, duke kritikuar marrëdhëniet e tij me aleatët perëndimorë dhe qasjen ndaj pakicës serbe në veri të vendit.

Edhe “Frankfurter Rundschau” analizon rezultatin zgjedhor, duke theksuar se fitorja e fuqishme e Vetëvendosjes lidhet me aftësinë e saj për të mobilizuar elektoratin. Gazeta vë në dukje se edhe data e zgjedhjeve ka ndikuar, pasi gjatë festave të fundvitit shumë kosovarë nga diaspora, veçanërisht nga Gjermania, vizitojnë Kosovën, ndërsa VV gëzon mbështetje të madhe pikërisht në këtë segment votuesish.

Ndërkaq, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se, ndonëse fitorja e Kurtit ishte e pritur, forcimi i rezultatit zgjedhor ka qenë befasues. Gazeta ngre pyetjen nëse bllokada politike në Kosovë po i afrohet fundit, duke rikujtuar se, pavarësisht kritikave për mungesë kompromisi, Kurti në natën e zgjedhjeve u shpreh i gatshëm për bashkëpunim më të ngushtë me opozitën, pasi disa vendime kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Kjo, sipas FAZ, rrit shpresat për tejkalimin e ngërçit politik në vend.
|Dragash Info|

Original Facebook objava