Mazreku dhe Berisha dyshohen se shpërndanë para në emër të sigurimeve, një pjesë dyshohet se u kthye tek ta në cash I…
Mazreku dhe Berisha dyshohen se shpërndanë para në emër të sigurimeve, një pjesë dyshohet se u kthye tek ta në cash
Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave në këtë institucion, Valon Berisha, dyshohen se u kanë shpërndarë qytetarëve shuma të mëdha parash në emër të kompensimeve nga sigurimet, ndërsa një pjesë e këtyre mjeteve dyshohet se u është kthyer atyre personalisht, në para të gatshme.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se skema e dyshuar përfshinte pagesa në vlera mijëra euro, të cilat u lëshoheshin qytetarëve, me dyshimin se më pas një pjesë e shumave u jepej Mazrekut dhe Berishës në cash.
Mazreku dhe Berisha janë arrestuar në kuadër të aksionit të gjerë të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, i cili po realizohet në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas informatave zyrtare, aksioni është ende në zhvillim, ndërsa deri tani janë arrestuar disa persona të tjerë, nën dyshimin se kanë përfituar kundërligjshëm nga kjo skemë.
Aksion në disa qytete të Kosovës
Operacioni policor po zhvillohet njëkohësisht në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën. Në terren janë angazhuar nëntë prokurorë, ndërsa sipas burimeve, cak i hetimeve janë mbi 40 persona.
Në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes janë konfirmuar:
Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve,
Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në BKS.
Veprat penale që po hetohen
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale:
Keqpërdorim i besimit,
Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi,
Ndihmë në keqpërdorim të besimit,
Falsifikim i dokumentit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se me avancimin e hetimeve priten edhe masa të tjera procedurale, ndërsa më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të fazës fillestare të aksionit.
— Dragash Info