Manipulimi me vota në Prizren: Gjykata cakton paraburgim për 23 të dyshuar Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar ma…
Manipulimi me vota në Prizren: Gjykata cakton paraburgim për 23 të dyshuar
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj njëzetetre (23) personave të dyshuar për manipulim me vota në zgjedhje, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prizren ka mbajtur katër (4) seanca dëgjimore më 24 janar 2026, ku janë shqyrtuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, të dyshuar për vepra penale kundër të drejtës së votimit, kanosje, marrje dhe dhënie ryshfeti.
Vendimi i Gjykatës
Gjykata ka vendosur që ndaj njëzetenjë (21) të pandehurve: O.Sh., V.B., A.K., B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A.D., B.B., D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V. dhe M.J., të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 23 shkurt 2026.
Ata dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndaj të pandehurës A.V. është caktuar masa e paraburgimit për një (1) muaj, deri më 23 shkurt 2026, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale falsifikimi i rezultateve të votimit dhe marrja e ryshfetit, sipas nenit 216 paragrafi 2 dhe nenit 422 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Ndërsa ndaj të pandehurit G.P., në cilësinë e vëzhguesit, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale kanosja, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, si dhe dhënia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Gjykata ka bërë të ditur se argumentimi i këtyre dyshimeve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
— Dragash Info