Lista Serbe shpall fitoren e 10 mandateve, Rashiqi pretendon një ulëse në Kuvend Ndërkohë që Lista Serbe ka deklaruar…
Lista Serbe shpall fitoren e 10 mandateve, Rashiqi pretendon një ulëse në Kuvend
Ndërkohë që Lista Serbe ka deklaruar se ka siguruar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka bërë të ditur se ka fituar një mandat për legjislaturën e ardhshme katërvjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar të kësaj partie, Rashiqi ka siguruar mbështetje prej rreth 4.600 votash në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në një reagim të publikuar në Facebook, partia ka theksuar se besimi i marrë nga votuesit përbën “një nder të madh, por edhe një obligim për angazhim edhe më të fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve”.
Nga ana tjetër, Lista Serbe ka pohuar se ka marrë rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb, duke pretenduar se i ka fituar të gjitha 10 ulëset e garantuara në Kuvend. Pas këtyre deklarimeve, përfaqësues të kësaj partie, përfshirë edhe kryetarin Zlatan Elek, kanë hedhur dyshime mbi rezultatin e partisë së Rashiqit, duke pretenduar se ajo ka marrë vota “në zona ku serbët nuk jetojnë”.
Zyrtarët e Listës Serbe kanë bërë të ditur se do të presin vlerësimin dhe konfirmimin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili pritet të sqarojë përfundimisht ndarjen e mandateve për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.