LDK në Dragash mban mbledhjen e Kryesisë së zgjeruar, fokus ristrukturimi dhe zhvillimet politike
LDK në Dragash mban mbledhjen e Kryesisë së zgjeruar, fokus ristrukturimi dhe zhvillimet politike
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash ka mbajtur më 7 prill 2026 mbledhjen e Kryesisë së zgjeruar, ku janë shqyrtuar çështje të rëndësishme politike dhe organizative. Në këtë takim janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, gjendja organizative në nëndegë, çështjet financiare si dhe tema të ndryshme që lidhen me funksionimin e Degës. Sa i përket aktualitetit politik, Kryesia ka trajtuar edhe situatën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit. Me këtë rast, Dega e LDK-së në Dragash ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, në angazhimin e tij për rikthimin te baza dhe për procesin e ribashkimit të partisë, i cili vlerësohet si kyç për forcimin e unitetit dhe rritjen e besimit qytetar. Në aspektin organizativ, është vlerësuar si e domosdoshme që nëndegët e LDK-së në komunë të kalojnë në një proces ristrukturimi dhe riaktivizimi. Për këtë qëllim, është themeluar një komision prej 9 anëtarësh, i cili do të analizojë gjendjen aktuale dhe do të propozojë riorganizimin e tyre. Në krye të këtij komisioni është zgjedhur Vetim Ramadani. Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për menaxhimin dhe transparencën financiare, si dhe për nevojën e përmirësimit të kapaciteteve mbështetëse për aktivitetet e Degës. Në pikën “të ndryshme”, pjesëmarrësit kanë trajtuar çështje që lidhen me rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm, me synim forcimin e mëtejmë të strukturave partiake. Dega e LDK-së në Dragash ka ritheksuar përkushtimin ndaj vlerave të saj themelore dhe angazhimin për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve politike në vend. Kjo mbledhje u drejtua nga kryetari i Degës, Bexhet Xheladini. — Dragash Info