“Lavdi ju qoftë marria” – Lutfi Haziri reagon ashpër ndaj tjetërsimit të votës në Prizren Nënkryetari i Lidhjes Demok…
“Lavdi ju qoftë marria” – Lutfi Haziri reagon ashpër ndaj tjetërsimit të votës në Prizren
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër lidhur me parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të votave në komunën e Prizrenit.
Haziri ka denoncuar publikisht atë që e ka cilësuar si tjetërsim të vullnetit të qytetarëve, duke theksuar se në këtë proces disa kandidatëve për deputetë u janë shtuar qindra e mijëra vota, ndërkohë që të tjerëve u janë hequr në mënyrë të pashpjegueshme.
“Lavdi ju qoftë marria”, ka deklaruar Haziri, duke shprehur indinjatën e tij për situatën e krijuar dhe duke e cilësuar atë si goditje të rëndë ndaj demokracisë dhe besimit qytetar në procesin zgjedhor.
Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të veprojnë pa vonesa dhe ta zbardhin këtë rast deri në fund, duke kërkuar përgjegjësi për të gjithë ata që kanë cenuar integritetin e votës dhe procesit zgjedhor.
Sipas Hazirit, vetëm përmes hetimit të plotë dhe ndëshkimit të përgjegjësve mund të rikthehet besimi i qytetarëve në demokraci dhe në institucionet e vendit.
— Dragash Info