Kurti: Vështirë të sigurohen 80 deputetë në sallë, ekziston mundësia e zgjedhjeve të reja Kryeministri në detyrë i Ko…
Kurti: Vështirë të sigurohen 80 deputetë në sallë, ekziston mundësia e zgjedhjeve të reja
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston jo vetëm një mundësi teorike, por edhe praktike që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, në rast se nuk arrihet zgjedhja apo rizgjedhja e presidentit të ri.
Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se sigurimi i 80 deputetëve në sallën e Kuvendit për votimin e presidentit paraqet një vështirësi serioze, duke theksuar se kjo çështje varet edhe nga qëndrimi i partive opozitare.
Sipas tij, para se të diskutohet për zgjedhjen e presidentit, duhet të përmbyllen tri procese kyçe: konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim apo rizgjedhim presidentin deri më 4 mars, ekziston mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Por për këtë duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi buxhetin e miratuar”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se takimi me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, është i domosdoshëm për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër, ndërsa theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare që kërkojnë votat e opozitës mund të shërbejnë si indikator për bashkëpunimin e mundshëm edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kurti u shpreh skeptik për qëndrimin e opozitës, duke thënë se qasja bllokuese e saj gjatë vitit të fundit ka qenë e papritur, por theksoi se pa deputetë opozitarë nuk mund të kalojnë as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as zgjedhja e presidentit.
— Dragash Info