Kurti, populizmi dhe opozita Në përfundim të këtij viti që po lëmë pas, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje fituan z…
Kurti, populizmi dhe opozita
Në përfundim të këtij viti që po lëmë pas, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje fituan zgjedhjet parlamentare të radhës në Kosovë.
Fitorja e Kurtit nuk ishte befasi për shumicën e njerëzve, brenda dhe jashtë Kosovës; ajo që befasoi ishte përmasa e rezultatit.
Por cilët ishin faktorët që e sollën këtë fitore?
I. Qasja populiste e Albin Kurtit
1. Populli kundër elitës
Gjatë gjithë kohës, Kurti e ka paraqitur politikën si një luftë midis “Popullit” (ai dhe votuesit e tij) dhe “Elitës” (partitë e vjetra, ish-udhëheqësit e luftës dhe zyrtarët e korruptuar).
Edhe pse partitë opozitare kanë ideologji dhe koncepte të ndryshme, në diskursin e tij ato janë reduktuar në një trup të vetëm – elitë e korruptuar. Kjo e thjeshtëson politikën në një betejë morale, veçanërisht në një shoqëri me histori të gjatë korrupsioni pas luftës.
2. Antikorrupsioni si identitet moral
Kurti ka mbajtur gjithnjë një qëndrim të ashpër kundër korrupsionit, duke i dhënë atij një dimension moral, por pa ofruar një qasje teknike apo veprime konkrete institucionale ndaj rasteve të mëdha që përmenden shpesh në fjalimet e tij, zakonisht pa emra konkretë.
Në retorikën e tij, korrupsioni cilësohet si tradhti ndaj shtetit, çka e mbyll debatin publik: kushdo që kundërshton, rrezikon të etiketohet si pjesë e sistemit të korruptuar.
3. Retorika e sovranitetit kombëtar
Kurti e përdor dinjitetin dhe sovranitetin e Kosovës si spiranca emocionale, në tri drejtime:
gjuhë të ashpër ndaj Serbisë;
rezistencë ndaj presionit të BE-së dhe SHBA-së;
reciprocitet në vend të kompromisit.
Në këtë mënyrë, ai ndërton imazhin e liderit që “nuk përkulet”.
4. Imazhi i njeriut jashtë sistemit
Edhe në pushtet që nga viti 2021, Kurti vazhdon të flasë si opozitar, duke fajësuar gjykatat, qeveritë e kaluara apo “elitën e vjetër” për çdo pengesë.
Çdo kundërshtim ndaj politikave të tij paraqitet si sabotim, çka e distancon retorikisht nga përgjegjësia për dështimet qeverisëse.
5. Thjeshtësimi i çështjeve komplekse
Problemet ekonomike reduktohen në pasojë të korrupsionit të elitave; tensionet ndërkombëtare në presione të padrejta; bllokimet institucionale në veprime kundër “vullnetit të popullit”.
Kjo krijon mobilizim masiv, veçanërisht te shtresat e reja.
6. Lidhja emocionale me votuesit
Fjalimet e Kurtit janë të ngarkuara emocionalisht, me gjuhë kolektive (“ne”, “lufta jonë”, “shteti ynë”), duke ndërtuar një besnikëri të ndërsjellë mes tij dhe elektoratit.
7. Delegjitimimi i opozitës
Opozita paraqitet vazhdimisht si jolegjitime dhe kundër popullit, edhe kur vepron përmes mekanizmave demokratikë. Ky polarizim moral është shtylla e populizmit të tij ideologjik dhe sovranist.
II. Mungesa e opozitës
1. Mungesë alternative reale
Opozita nuk arriti të nxirrte një figurë të vetme, karizmatike dhe konkurruese ndaj Kurtit.
2. Mungesë kohezioni
Partitë opozitare shfaqën përçarje dhe premtime të shpërndara, pa një bosht të përbashkët politik.
3. Mungesë kredibiliteti moral
Asnjëra prej tyre nuk arriti të përballej bindshëm me akuzat për korrupsion gjatë periudhave të mëparshme të qeverisjes.
4. Mungesë programi të qartë
Opozita dështoi të ofrojë programe konkrete për ekonominë, marrëdhëniet ndërkombëtare, raportet me Shqipërinë dhe dialogun me Serbinë, duke lënë paqartësi te votuesit.
5. Mungesë simbolizmi politik
Opozita nuk e përdori mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe kritikat ndaj Gjykatës Speciale si bosht mobilizues, më shumë nga frika sesa nga padija.
6. Dështim në adresimin e elektoratit të ri
Nuk u shpjegua se retorika e Kurtit për “përjashtimin nga vendimmarrja nga elitat e vjetra” ishte mashtruese për brezat që nuk kishin qenë pjesë e vendimmarrjes në periudhën e luftës apo pas saj.
Gjithashtu, opozita dështoi të mbrojë idenë e shkëmbimit të territoreve si koncept politik dhe kombëtar, duke e lënë atë të etiketohej si “ndarje e Kosovës”, ndonëse bëhej fjalë për shkëmbim reciprok të territoreve dhe popullsisë shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Përfundim
Thënë thjesht: populizmi i Albin Kurtit nuk pati asnjë kundërshtar real përballë.
Opozita në Kosovë e ka humbur udhën në oborrin e vet politik. Dhe derisa ta gjejë atë, nuk përbën rrezik serioz për Kurtin dhe ideologjinë e tij populiste.
Shkruan: Dritan Goxhaj