Kurti në Davos: Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike dhe ofron klimë të favorshme për investime Kryeminis…
Kurti në Davos: Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike dhe ofron klimë të favorshme për investime
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Davos ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, ka deklaruar se Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike dhe se Qeveria e Kosovës po u prezanton partnerëve ndërkombëtarë dhe investitorëve potencialë mundësi konkrete për investime.
Në një deklaratë për RTK-në, Kurti theksoi se Kosova ofron stabilitet institucional, politika fiskale të favorshme dhe një qeveri që është partnere e besueshme për investitorët e huaj.
“Ne të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe partnerëve të mundshëm u tregojmë mundësitë për investime në Kosovë, prej faktit që atje do të kemi një qeveri që është partnere – jo vetëm një treg apo platformë për prodhimtari të lirë, por edhe një shtet me politika fiskale të favorshme dhe me mundësi për të angazhuar të rinjtë tanë, të cilët janë energjikë, të talentuar dhe shumëgjuhësh”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se pozita gjeografike e Kosovës e bën atë një pikë strategjike për investime, duke qenë në zemër të rajonit të njohur si EMEA – Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.
“Është një mundësi unike që të krijojnë degët apo bizneset e tyre në vendin tonë, i cili është në zemër të këtij rajoni”, u shpreh ai.
Kurti vuri në pah edhe rëndësinë e besimit dhe parashikueshmërisë institucionale, veçanërisht në një kohë të pasigurisë gjeopolitike dhe çrregullimeve në tregtinë globale.
“Kërkojmë që Kosova të shihet si shtet demokratik me sundim të ligjit dhe stabilitet institucional, në të cilin investitorët mund të kenë besim afatgjatë”, tha ai.
Sipas Kurtit, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të vazhdueshme vit pas viti, ndërsa numri i ndërmarrjeve me pronësi të huaj është rritur ndjeshëm.
“Është një ekonomi që po rritet çdo vit dhe ku ndërmarrjet me pronësi të huaj, krahasuar me para katër viteve, janë rritur për 55 për qind”, theksoi Kurti.
Duke folur për pjesëmarrjen e Qeverisë së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror, Kurti tha se këtë vit aktivitetet kanë qenë më intensive se në edicionet e mëparshme, përfshirë më shumë panele diskutimi dhe takime bilaterale në kuadër të “Shtëpisë së Kosovës” në Davos.
Ai falënderoi edhe ndërmarrësit nga mërgata, të cilët, sipas tij, kanë kontribuar në promovimin e Kosovës si destinacion për investime dhe talente.
Kurti shtoi se në fjalimet e tij në “Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” në Davos ka theksuar rëndësinë e besimit në politikë dhe rolin e tij në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
— Dragash Info