Kryeziu: Hetimet për manipulimet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit po vazhdojnë, paralajmërohen aktakuza
Kryeziu: Hetimet për manipulimet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit po vazhdojnë, paralajmërohen aktakuza
Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka deklaruar se hetimet për manipulimet me rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ende në zhvillim, duke paralajmëruar ngritjen e aktakuzave ndaj të dyshuarve. Sipas tij, Prizreni ka qenë një nga rastet më të mëdha të keqpërdorimit të votave, ku dyshohet se janë manipuluar mbi 68 mijë vota. Ai bëri të ditur se organet e hetuesisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta, duke siguruar prova personale dhe materiale, si dhe duke arrestuar 109 persona brenda një dite. “Një pjesë e madhe e tyre janë dërguar me kërkesa për paraburgim, të cilat janë aprovuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë, por më pas janë liruar nga Gjykata Supreme, vendim të cilin ne e respektojmë”, u shpreh Kryeziu. Ai theksoi se periudha kur të dyshuarit kanë qenë në paraburgim ka qenë “pjesa më e artë e hetimeve”, pasi janë siguruar dëshmi të rëndësishme dhe janë identifikuar edhe vepra të tjera penale, si keqpërdorim i detyrës zyrtare, ryshfet dhe kanosje. Kryeziu shtoi se hetimet do të vazhdojnë deri në vërtetimin e plotë të rasteve, ndërsa të dyshuarit do të përballen me aktakuza. Ai paralajmëroi gjithashtu masa shtesë ndëshkuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për personat e përfshirë, veçanërisht ata që mbajnë pozita në arsim dhe administratë. “Nuk na duhen as arsimtarë e as mësues që sot vjedhin vota e nesër edukojnë fëmijët”, theksoi ai. Përveç Prizrenit, hetime për manipulime zgjedhore po zhvillohen edhe në Suharekë, Dragash dhe Mamushë. — Dragash Info