KRYETARI XHELADINI PRITI PËRFAQËSUESIT E GIZ-IT, THEKSOHET BASHKËPUNIMI PËR AFTËSIM DHE ZHVILLIM EKONOMIK Kryetari i…
KRYETARI XHELADINI PRITI PËRFAQËSUESIT E GIZ-IT, THEKSOHET BASHKËPUNIMI PËR AFTËSIM DHE ZHVILLIM EKONOMIK
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e organizatës gjermane GIZ, z. Mario Eckardt – udhëheqës i Projektit “Aftësim për Punësim” dhe Projektit për Zhvillimin Ekonomik të Grave, i shoqëruar nga znj. Toska Zajmi dhe z. Nexhmedin Basha.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve ekzistuese, me theks të veçantë në organizimin e trajnimeve për vetëpunësim të grave, si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Po ashtu, Komuna e Dragashit shprehu interesim për mbështetje nga GIZ-i edhe në fusha të tjera strategjike, si: mbrojtja e ambientit dhe menaxhimi i mbeturinave, hartimi i Planit Zhvillimor Komunal dhe hartave zonale, si dhe mbështetja për zhvillimin e arsimit përmes pajisjes së shkollave me kabinete të teknologjisë informative (IT).
Kryetari Xheladini falënderoi përfaqësuesit e GIZ-it për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të mbështetur projekte në të mirë të qytetarëve të Dragashit, duke theksuar se komuna mbetet e përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme në funksion të zhvillimit socio-ekonomik.
— Dragash Info