Kryetari Xheladini flet për planet qeverisëse të Komunës së Dragashit për katër vitet e ardhshme Kryetari i Komunës s…
Kryetari Xheladini flet për planet qeverisëse të Komunës së Dragashit për katër vitet e ardhshme
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka rimarrë besimin e shumicës së qytetarëve për të udhëhequr komunën edhe për një mandat të dytë. Në një intervistë për TV Prizreni, ai ka folur për sfidat kryesore me të cilat përballen banorët, prioritetet qeverisëse dhe përbërjen e kabinetit të tij për katër vitet e ardhshme.
Kryetari Xheladini ka prezantuar përbërjen e kabinetit komunal, duke sqaruar se përzgjedhja e anëtarëve është bërë mbi bazën e profesionalizmit, përvojës dhe përkushtimit për t’u shërbyer qytetarëve. Sipas tij, ky ekip synon rritjen e efikasitetit në punën e administratës komunale dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Duke folur për sfidat kryesore të komunës, Xheladini theksoi se papunësia dhe zhvillimi ekonomik mbeten problemet më të mëdha për qytetarët e Dragashit. Ai u shpreh se institucionet komunale janë të angazhuara seriozisht për të gjetur zgjidhje konkrete për këto dhe për çështje të tjera që shqetësojnë banorët.
Kryetari bëri të ditur se edhe gjatë mandatit të dytë, prioritet kryesor do të mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët. Ai njoftoi se gjatë këtij viti Komuna e Dragashit do të ketë buxhet më të madh për investime kapitale, pasi komuna është përfituese e grantit të performancës.
Në fund, Xheladini theksoi se komuna do të vazhdojë të punojë me përkushtim për zhvillim të qëndrueshëm, rritje ekonomike dhe përmirësim të shërbimeve publike, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Komunës së Dragashit.
— Dragash Info