Kryeshefi i “Eko-Regjionit” në Prizren ndalohet për 48 orë nga Prokuroria Speciale Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Ra…
Kryeshefi i “Eko-Regjionit” në Prizren ndalohet për 48 orë nga Prokuroria Speciale
Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në rajonin e Prizrenit, Burim Shala, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ndalimi i tij vjen si vazhdimësi e aksionit të zhvilluar të hënën, në kuadër të hetimeve për dyshime rreth keqpërdorimeve në prokurim publik, ku u arrestuan edhe një zyrtar i kësaj ndërmarrjeje dhe një biznesmen.
Sipas raportimit të Klankosova.tv, Burim Shala po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me datë 26 janar, Prokuroria Speciale ka realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë edhe ambientet e ndërmarrjes “Eko-Regjioni”.
Në kuadër të këtij aksioni, janë arrestuar Arbër Gashi, shef i njësisë së “Eko-Regjionit” në Prizren, si dhe Ragip Zejna, drejtor i kompanisë “Dielli Construction”, me seli në Ferizaj.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se priten veprime të tjera procedurale lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata.
— Dragash Info