KRU Hidroregjioni Jugor apelon: Uji të mos përdoret për pije, vetëm për nevoja sanitare Kompania Rajonale e Ujësjellë…
KRU Hidroregjioni Jugor apelon: Uji të mos përdoret për pije, vetëm për nevoja sanitare
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka apeluar qytetarët që, përkohësisht, të mos e shfrytëzojnë ujin për pije, por vetëm për nevoja sanitare, si pasojë e reshjeve të dendura atmosferike ditëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme të turbullirës në burimet e furnizimit me ujë të pijshëm në njësitë operative Prizren, Suharekë dhe Malishevë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e ujit.
Gjendja sipas njësive operative:
🔹 Njësia Operative Prizren
Ka përmirësim të gjendjes së kualitetit të ujit në burime, megjithatë niveli i turbullirës ende nuk është brenda standardeve të lejuara. Uji ka filluar gradualisht të lëshohet në rrjet, por kompania apelon që të mos përdoret për pije, vetëm për nevoja sanitare, deri në njoftimin e radhës.
🔹 Njësia Operative Suharekë
Gjendja paraqitet stabile, përjashtuar fshatrat Studençan dhe Doberdelan, ku ka ende vështirësi në furnizim.
🔹 Njësia Operative Malishevë
Edhe pse ka rënie të nivelit të ujërave, burimet vazhdojnë të jenë të ndotura. Kompania është duke ndërmarrë veprime për pastrimin e burimeve.
🔹 Njësia Operative Dragash
Gjendja e furnizimit me ujë vazhdon të jetë stabile.
Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për rikthimin e përdorimit normal të ujit për pije.
— Dragash Info