Krasniqi: Institucionet kishin informacion për sulmin në Banjskë katër ditë para ngjarjes Kandidati për deputet nga r…
Krasniqi: Institucionet kishin informacion për sulmin në Banjskë katër ditë para ngjarjes
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Dardan Krasniqi, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kishin informacione paraprake lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi në shtator të vitit 2023.
Duke folur në emisionin debatues në RTV Dukagjini, Krasniqi tha se institucionet shtetërore ishin të informuara rreth katër ditë para se të ndodhte sulmi.
“Qeveria jonë e ka pasur informatën katër ditë më herët se do të ndodhte Banjska. Po e them publikisht: institucionet tona kanë pasur informacione se do të ndodhte ky sulm”, ka deklaruar Krasniqi.
Sulmi i armatosur në Banjskë rezultoi me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përballjes me forcat e rendit u vranë edhe tre nga sulmuesit.
Dardan Krasniqi është kunati i ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, si dhe vëllai i anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqit.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si akt terrorist. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 41 personave të tjerë për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa ndaj Radoiçiqit rëndojnë edhe akuza për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
— Dragash Info