KQZ paralajmëron mundësi ndërprerjeje të energjisë në shumicën e qendrave të votimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (…
KQZ paralajmëron mundësi ndërprerjeje të energjisë në shumicën e qendrave të votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur shqetësim për ndikimin që ndërprerjet e mundshme të energjisë elektrike mund të kenë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 28 dhjetor. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 948 qendra votimi në të gjithë vendin, 888 mund të përballen me ndërprerje të furnizimit me rrymë.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, theksoi se situata është shqetësuese, veçanërisht për 666 qendra që sipas raportit paraqesin rrezikshmëri të lartë për mungesë të energjisë:
“Ky raport është shumë shqetësues, pasi dërgon sinjale për ndërprerje të energjisë në shumicën e qendrave të votimit. Kjo nuk do të thotë që do të ketë ndërprerje të vazhdueshme gjatë gjithë ditës, por ka rrezik të konsiderueshëm në disa zona,” tha Gashi.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se gjysma e qendrave nuk kanë alternativa të tjera të furnizimit me energji dhe përmendi Rahovecin dhe Prizrenin si zonat më problematike:
“Rahoveci furnizon edhe Malishevën, ndërsa Prizreni furnizon edhe Dragashin. Këto janë shqetësimet kryesore të KOSTT-it sa i përket transmisionit,” tha Buzhala.
Pas takimit me KQZ-në, KEDS-i ka garantuar se do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm gjatë ditës së zgjedhjeve. Në mbarë vendin do të angazhohen 1,049 punëtorë të organizuar në 140 ekipe, të gatshëm për intervenim të shpejtë në rast ndërprerjeje. Do të funksionojë gjithashtu një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale, me mbështetje të plotë logjistike dhe IT.
Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ndërprerjet e fundit në disa komuna kanë qenë pasojë e mbingarkesës në rrjet.
KQZ dhe KEDS apelojnë që qytetarët të mbeten të qetë dhe të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, pasi të gjitha masat janë marrë për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt.