Kosova pranon dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia Republika e Kosovës ka pranuar gjatë…
Kosova pranon dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia
Republika e Kosovës ka pranuar gjatë ditës së sotme dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Roketsan, në dhjetor të vitit 2023.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili theksoi se këto sisteme përbëjnë një avancim të rëndësishëm të kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke të pajisura me mbrojtje reaktive, si dhe objektiva të fortifikuara ushtarake.
Ministri Maqedonci theksoi se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, përshtatjen me terrene të ndryshme dhe përballimin e skenarëve të ndryshëm të kërcënimit.
“Kjo rrit fleksibilitetin operacional dhe aftësinë mbrojtëse të ushtrisë sonë,” u shpreh ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Pranimi i këtyre sistemeve konsiderohet si pjesë e vazhdimit të modernizimit të kapaciteteve ushtarake të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
— Dragash Info