Kosova ka nevojë për përgjegjësi, jo vetëm për pushtet – Selver Islamaj Nënkryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat…
Kosova ka nevojë për përgjegjësi, jo vetëm për pushtet – Selver Islamaj
Nënkryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, Selver Islamaj, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale të Kosovës, duke theksuar se shumica absolute nuk është dëshmi e aftësisë për të qeverisur, por vetëm një numër politik.
“Rreziku nis atëherë kur ky numër shndërrohet në arrogancë dhe bindjen se çdo vendim është i drejtë vetëm sepse është votuar. Kosova sot nuk vuan nga mungesa e pushtetit, por nga mënyra se si ai ushtrohet”, tha Islamaj.
Ai vlerësoi se pesë vjet qeverisje do të duhej të ishin të mjaftueshme për ndryshime reale në jetën e qytetarëve, por bilanci mbetet i dobët: mungojnë projekte kapitale, deficiti tregtar është rekord, inflacioni ka rënduar shtresën e mesme, ndërsa sektorë jetikë si shëndetësia, arsimi dhe energjia janë lënë pas dore.
“Shpërndarja e parave të gatshme është bërë zëvendësim për reformat e mungura. Miliona euro janë dhënë si ndihma të përkohshme, por nuk janë ndërtuar sisteme të qëndrueshme shëndetësore, sociale dhe pensionale. Pa vullnet, dije dhe kuadro profesionale, ndihmat mbeten vetëm mjet politik, jo zgjidhje strukturore”, theksoi ai.
Islamaj kritikoi gjithashtu përqendrimin e qeverisë në siguri dhe veprime në veri si “sukses politik”, duke nënvizuar se pa zhvillim ekonomik, arsim cilësor dhe shërbime publike funksionale, siguria mbetet e mangët.
Ai shtoi se diskursi i viktimizimit nuk i shkon një qeverie me shumicë absolute: “Kur ke pushtetin, ke edhe përgjegjësinë. Fajësimi i opozitës dhe i së kaluarës pas pesë vjetësh qeverisje nuk është shpjegim, por shmangie nga përgjegjësia. Shteti nuk ndërtohet duke u ankuar, por duke vendosur dhe zbatuar.”
“Në vend që të kërkojmë më shumë pushtet, Kosova ka nevojë për më shumë përgjegjësi.
Vetëkënaqësia e pushtetit është rreziku më i madh për vendin tonë. Qytetarët meritojnë cilësi jete, jo vetëm fitore zgjedhore dhe slogane politike”, përfundoi Selver Islamaj.
© Dragash Info