Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit të Japonisë pas arrestimit të Maduron nga SHBA-të Koreja e Veriut…
Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit të Japonisë pas arrestimit të Maduron nga SHBA-të
Koreja e Veriut ka lëshuar të paktën dy raketa balistike drejt Detit Lindor, të njohur edhe si Deti i Japonisë, duke realizuar testin e parë të armëve për këtë vit. Lëshimi ndodhi vetëm një ditë pasi ushtria amerikane arrestoi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni ushtarak, zhvillim që Pheniani e ka përdorur prej kohësh si shembull të asaj që, sipas tij, SHBA-të synojnë të bëjnë edhe ndaj udhëheqësve të Koresë së Veriut.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut njoftoi se raketat u lëshuan nga periferia e Phenianit rreth orës 07:50 të mëngjesit (00:50 GMT), ndërsa Ministria japoneze e Mbrojtjes konfirmoi se kishte zbuluar një raketë të dyshuar balistike që ra në det rreth orës 08:08 sipas kohës lokale.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, deklaroi se zhvillimi i armëve bërthamore dhe raketave balistike nga Koreja e Veriut përbën kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si “absolutisht të patolerueshëm”.
Sipas analistit Hong Min nga Instituti Korean për Unifikimin Kombëtar, testi i raketave “me shumë gjasë pasqyron presionin që Pheniani po ndien për shkak të situatës në Venezuelë”. Ai theksoi se mesazhi i nënkuptuar i testit mund të jetë se një ndërhyrje ushtarake ndaj Koresë së Veriut nuk do të ishte aq e lehtë sa ajo ndaj Venezuelës.
Raketat, sipas autoriteteve të Seulit, udhëtuan rreth 900 kilometra përpara se të binin në det.
Ndërkohë, presidenca e Koresë së Jugut njoftoi se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur urgjentisht, duke i bërë thirrje Phenianit të ndalë veprimet provokuese që shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Komanda Indo-Paqësore e ushtrisë amerikane (INDOPACOM) deklaroi se testi nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për territorin apo personelin amerikan, por shtoi se SHBA-të po i monitorojnë zhvillimet në koordinim të ngushtë me aleatët në rajon.
Testi i raketave ndodhi vetëm disa orë para vizitës së presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, në Kinë, ku pritet të takohet me presidentin Xi Jinping, në përpjekje për të nxitur përmirësimin e marrëdhënieve ndërkoreane përmes ndikimit të Pekinit mbi Phenianin.
Në të njëjtën kohë, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka intensifikuar përpjekjet për modernizimin e arsenalit ushtarak, duke urdhëruar rritje të prodhimit të raketave, ndërtimin e kapaciteteve të reja ushtarake dhe testimin e armëve të avancuara, përfshirë raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi.
Analistët vlerësojnë se Pheniani synon të rrisë aftësitë e goditjes precize, të demonstrojë sfidën ndaj SHBA-së dhe Koresë së Jugut, si dhe të testojë armë potencialisht të destinuara për eksport.
— Dragash Info