Botë

Konsulli i Kosovës pëlqen postimin me akuza ndaj Hashim Thaçit, më pas e tërheq reagimin Një veprim në rrjetet social…

12.01.2026. 2 min čitanja

Konsulli i Kosovës pëlqen postimin me akuza ndaj Hashim Thaçit, më pas e tërheq reagimin

Një veprim në rrjetet sociale nga një përfaqësues diplomatik i Kosovës ka nxitur reagime në opinionin publik.

Konsulli i Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, Gëzim Gashi, ka pëlqyer të dielën një postim në Facebook ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për vrasje dhe plaçkitje të politikanëve, aktivistëve dhe gazetarëve.

Postimi me akuza të rënda është publikuar nga foto-reporteri Vudi Xhymshiti, i njohur për afërsinë e tij me pushtetin aktual të Lëvizja Vetëvendosje. Në përmbajtjen e postimit, ndër të tjera thuhet se “në këtë teatër hijesh u vranë politikanë, aktivistë e gazetarë, jo gjithmonë me plumb, por me errësirë, me harresë, me baltë”, shoqëruar me një fotografi të Hashim Thaçit.

Pëlqimi i këtij postimi nga konsulli Gashi u bë përmes profilit të tij personal në Facebook, por më pas reagimit u tërhoq.

Ish-presidenti Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, në proces gjyqësor pranë Gjykata Speciale, ku po përballet me akuza për krime lufte.

I pyetur nga portali Nacionale lidhur me këtë veprim, përfaqësues të Konsullatës së Kosovës në Frankfurt kanë deklaruar se pëlqimi ka ndodhur pa qëllim.

“Për qartësim, pëlqimi i një postimi të tillë ka ndodhur pa qëllim dhe Konsulli i Përgjithshëm nuk përfshihet në diskutime të tilla”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Konsullatës, e transmetuar nga Paparaci.

Gëzim Gashi ushtron detyrën e Konsullit të Kosovës në Frankfurt që nga dhjetori i vitit 2022, i emëruar nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

— Dragash Info

Original Facebook objava