Konjufca në Vjenë kërkon mbështetjen e Austrisë për statusin e vendit kandidat në BE Zëvendëskryeministri i Parë dhe…
Konjufca në Vjenë kërkon mbështetjen e Austrisë për statusin e vendit kandidat në BE
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republika e Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim zyrtar në Vjenë me Ministren Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austria, Beate Meinl-Reisinger.
Sipas njoftimit të Ministris se Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, avancimin e integrimit evropian të vendit, si dhe bashkëpunimin në funksion të stabilitetit rajonal.
Konjufca falënderoi homologen e tij për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Austrisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar.
Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim.
Në njoftim theksohet se Austria mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të qëndrueshëm të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
— Dragash Info