Konferencë informuese për projektin “Promovimi i vlerave humane” – përfaqësohet edhe Dragashi Fushë Kosovë, 8 janar 2…
Konferencë informuese për projektin “Promovimi i vlerave humane” – përfaqësohet edhe Dragashi
Fushë Kosovë, 8 janar 2026 – Në ambientet e Holiday Resort në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës, sot është mbajtur Konferenca Informuese për projektin “Promovimi i vlerave humane” në shkollat e mesme të Kosovës.
Konferenca ka filluar në orën 10:30 dhe ka mbledhur përfaqësues të rëndësishëm të sektorit arsimor dhe humanitar, përfshirë drejtorë të Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorë të shkollave të mesme nga mbarë vendi, si dhe sekretarë të degëve komunale të Kryqit të Kuq të Kosovës.
Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” nga Dragashi është përfaqësuar nga Ushtruesi i Detyrës së drejtorit, prof. Lulzim Ahmeti, ndërsa Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Dragash është përfaqësuar nga sekretari i degës, Muhamer Rexhepi.
Qëllimi kryesor i projektit “Promovimi i vlerave humane” është përfshirja e të rinjve nga komunitete dhe përkatësi të ndryshme etnike në aktivitete të përbashkëta, përmes të cilave promovohen humanizmi, mirëkuptimi, toleranca, paqja, kultura e dialogut, kujdesi ndaj ambientit dhe mosdhuna. Projekti synon gjithashtu zhvillimin e aftësive për punë në grup, përmirësimin e komunikimit dhe rritjen e angazhimit qytetar të të rinjve, duke i fuqizuar ata si aktorë aktivë të ndryshimeve pozitive në shkollë dhe komunitet.
Në vitin 2026, ky projekt hyn në vitin e tretë të implementimit dhe planifikohet të shtrihet në 40 shkolla të mesme në të gjithë Kosovën, me synim rritjen e ndikimit pozitiv dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në shoqëri.
Projekti zbatohet përmes aktiviteteve konkrete në disa fusha kyçe, si:
aksione humanitare dhe ekologjike,
aktivitete ndërkulturore për promovimin e bashkëjetesës dhe tolerancës,
fushata dhe aksione kundër dhunës,
projekte për mbrojtjen e mjedisit dhe riciklimin e materialeve.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Dragashi në këtë konferencë vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të vlerave humane në shkollat e komunës.
— Dragash Info


