Kombëtarja e Kosovës në hendboll vijon përgatitjet në Slloveni, zhvillon ndeshjen e parë kontrolluese Kombëtarja A e…
Kombëtarja e Kosovës në hendboll vijon përgatitjet në Slloveni, zhvillon ndeshjen e parë kontrolluese
Kombëtarja A e Kosovës në hendboll po vazhdon me intensitet përgatitjet në kuadër të kampit stërvitor që po mbahet në Slloveni.
Aktivitetet stërvitore po zhvillohen sipas planit të shtabit teknik, me fokus në përgatitjen fizike dhe taktike të skuadrës.
Të enjten paradite, në qytetin Laško, Kombëtarja e Kosovës zhvilloi një stërvitje të përbashkët me Kombëtaren e Kuvajtit, e cila përfshiu edhe lojë stërvitore, duke shërbyer si test i mirë për lojtarët dhe për vlerësimin e formës aktuale.
Ndërkohë, në orët e mbrëmjes, Kosova zhvilloi ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të këtij kampi, duke u përballur me përfaqësuesen U20 të Sllovenisë. Takimi u luajt në Ormož, ndërsa fitoren e shënoi kombëtarja e re sllovene me rezultat 32:26.
Përzgjedhësi i Kosovës, Jesper Östlund, u dha hapësirë të gjithë lojtarëve të grumbulluar, duke testuar alternativa të ndryshme dhe skema loje. Sipas shtabit teknik, janë evidentuar disa elemente pozitive në lojën e ekipit, por edhe aspekte që kërkojnë përmirësim në vazhdimësi.
Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë me seancat e radhës stërvitore të premten, ndërsa të shtunën është planifikuar ndeshja tjetër kontrolluese ndaj Kombëtares së Algjerisë.
— Dragash Info





