Komandanti i FSK-së takohet me drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të SHBA-së 🇽🇰🇺🇸 Komandanti i Forcës së Sigur…
Komandanti i FSK-së takohet me drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të SHBA-së 🇽🇰🇺🇸
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs, i shoqëruar nga gjeneralmajor Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.
Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA-së, me fokus të veçantë në Gardën Kombëtare të Ajova-s.
FSK-ja njoftoi se gjatë takimit u vlerësua lartë mbështetja e SHBA-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe avancimin e ndërveprueshmërisë së Forcës së Sigurisë me partnerët e saj ndërkombëtarë. Gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke e cilësuar partneritetin si thelbësor për zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së.
Palët u pajtuan se Programi i Partneritetit të Përbashkët (SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së është një shembull i suksesit dhe arritjeve të përbashkëta në aktivitete të ndryshme ushtarake dhe trajnime.
Në përfundim të takimit, gjeneralët theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për avancimin e ndërveprueshmërisë së forcave, si dhe nevojën e mbështetjes së SHBA-së për arritjen e synimit strategjik të Kosovës për integrim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, duke kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
— Dragash Info