KMShK: Raportimet për “fantazmën” në rrugët e Kosovës janë të pasakta, përmbajtja është e gjeneruar nga Inteligjenca…
KMShK: Raportimet për “fantazmën” në rrugët e Kosovës janë të pasakta, përmbajtja është e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale
Raportimet e publikuara në disa media lidhur me një “fantazmë” që pretendohet se “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës janë të pasakta, pasi që bëhet fjalë për përmbajtje të gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale (AI).
Lidhur me këtë çështje ka reaguar Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), i cili ka bërë të ditur se ka pranuar shqetësime nga qytetarët për përhapjen e këtyre përmbajtjeve, të cilat janë shpërndarë pa verifikim të mjaftueshëm.
Sipas KMShK-së, publikimi dhe shpërndarja e materialeve të tilla, pa konfirmim të burimit dhe vërtetësisë së tyre, mund të shkaktojë panik dhe keqinformim te publiku.
“Media duhet të tregojnë kujdes të shtuar në verifikimin e përmbajtjeve të ngjashme dhe të shmangin shpërndarjen e tyre, veçanërisht kur ato janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe nuk përfaqësojnë ngjarje reale”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.
KMShK u ka bërë thirrje mediave që raportimet të jenë të kujdesshme, korrekte dhe gjithmonë të bazuara në parimet profesionale dhe në Kodin e Etikës së gazetarisë, me qëllim të ruajtjes së besimit të publikut dhe informimit të saktë të qytetarëve.
— Dragash Info