KMDLNj reagon ashpër ndaj Gjykatës Speciale, e quan “raciste” dhe ngrit shqetësime për shkelje të të drejtave
KMDLNj reagon ashpër ndaj Gjykatës Speciale, e quan “raciste” dhe ngrit shqetësime për shkelje të të drejtave
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar atë si “raciste” dhe duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut. Në reagimin e tij, KMDLNj thekson se opinioni në Kosovë dhe në diasporë është i shqetësuar për, siç thuhet, veprimet e fundit të Prokurorisë së Specializuar, e cila edhe pas afateve ligjore po dorëzon materiale shtesë kundër të akuzuarve, duke ndërhyrë në parimin e prezumimit të pafajësisë. Sipas këtij këshilli, janë ndërmarrë veprime për vlerësimin e pasurisë së ish-udhëheqësve të luftës, përfshirë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, pa vendim përfundimtar gjyqësor, duke e konsideruar këtë si presion të drejtpërdrejtë në procesin gjyqësor. KMDLNj gjithashtu krahason këtë qasje me rastin e Sali Mustafa, ku sipas tyre, procedurat për pasurinë janë zhvilluar vetëm pas një vendimi të plotfuqishëm. Në reagim thuhet se Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po veprojnë në mënyrë të njëanshme, duke cenuar të drejtën për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pavarur nga ndikimet politike. Në fund, KMDLNj shpreh shqetësim edhe për trajtimin e të paraburgosurve në Hagë, duke pretenduar se atyre u mohohet një proces i drejtë dhe transparent, ndërsa thekson se kjo situatë mund të ndikojë edhe në vendimmarrjen përfundimtare të gjykatës. — Dragash Info