Botë

Klinika e Kardiologjisë në QKUK: Ulet ndjeshëm lista e pritjes, rritet vëllimi i punës dhe numri i procedurave Klinik…

27.12.2025. 3 min čitanja

Klinika e Kardiologjisë në QKUK: Ulet ndjeshëm lista e pritjes, rritet vëllimi i punës dhe numri i procedurave

Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar opinionin publik lidhur me situatën aktuale të listave të pritjes, duke sqaruar disa çështje thelbësore për një informim të drejtë dhe transparent të qytetarëve.

Sipas njoftimit zyrtar, falë angazhimit të shtuar profesional dhe përmirësimit të organizimit të brendshëm, vëllimi i punës në Klinikën e Kardiologjisë është rritur ndjeshëm. Aktualisht, në këtë klinikë realizohen rreth 18 procedura në ditë, me synimin e drejtpërdrejtë për të ulur numrin e pacientëve në listat e pritjes.

Nga Klinika e Kardiologjisë bëhet e ditur se përpara përfshirjes së çdo pacienti në listën e pritjes, dokumentacioni mjekësor shqyrtohet nga një komision profesional i përbërë nga mjekë dhe infermierë. Ky komision vlerëson gjendjen klinike, urgjencën dhe nevojën për ekzaminime shtesë, duke garantuar që procedurat të realizohen sipas prioriteteve mjekësore dhe jo vetëm sipas renditjes kohore.

Rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk i nënshtrohen listës së pritjes.

Aktualisht, në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të specializuar në kardiologji invazive, të kualifikuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, vendosjen e stentave dhe kryerjen e ndërhyrjeve të avancuara. Stafi mjekësor, sipas njoftimit, mbetet i përkushtuar në rritjen e volumit të punës duke ruajtur standardet e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Bazuar në raportin e Klinikës së Kardiologjisë për vitin 2025, i cili përfshin nëntë muaj pune, është arritur pothuajse niveli i vitit 2024 sa i përket numrit të koronarografive, ndërsa është shënuar një volum shumë i lartë i vendosjes së stentave. Këto të dhëna dëshmojnë rritjen e intensitetit mujor të punës dhe forcimin e kapaciteteve profesionale, me projeksion për tejkalimin e rezultateve vjetore deri në fund të vitit.

Po ashtu, nga Klinika theksohet se përkundër faktit se gjatë vitit të kaluar në listën e pritjes ishin rreth 4,560 pacientë, aktualisht ky numër është ulur në rreth 2,000, duke shënuar një rënie të konsiderueshme të pacientëve në pritje.

Klinika e Kardiologjisë në QKUK rithekson përkushtimin e saj për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe profesionale për të gjithë pacientët që kërkojnë trajtim kardiologjik.

Original Facebook objava