KFOR-i turk viziton Shkollën e Mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash, në fokus investimi në kabinetin e informatikës
KFOR-i turk viziton Shkollën e Mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash, në fokus investimi në kabinetin e informatikës
– Në ambientet e Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, janë pritur përfaqësues të KFOR-it turk, të cilët kanë realizuar një vizitë pune në këtë institucion arsimor. Qëllimi i vizitës ishte shqyrtimi nga afër i mundësive për investim në kabinetin e informatikës, i cili pritet të shërbejë për zhvillimin e praktikës profesionale të nxënësve të drejtimit Teknik i Sistemeve të TIK-ut. Ky projekt, sipas drejtuesve të shkollës, është dorëzuar më herët tek KFOR-i turk në Dragash dhe ka kaluar disa procedura të nevojshme, ndërsa aktualisht pritet miratimi nga organet kompetente për realizimin e tij. Gjatë qëndrimit të tyre, përfaqësuesit e KFOR-it vizituan edhe hapësirën e paraparë për vendosjen e kabinetit, e cila ndodhet në një nga klasat ku aktualisht është duke u ndërtuar aneksi i ri i shkollës. Nga drejtoria e shkollës u shpreh optimizëm se kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të projektit, i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjes profesionale të nxënësve. — Dragash Info