Botë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mban mbledhjen e fundit për vitin 2025 Dragash – Nën udhëheqjen e Kryetarit t…

26.12.2025. 2 min čitanja

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mban mbledhjen e fundit për vitin 2025

Dragash – Nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës, z. Bexhet Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) mbajti sot Mbledhjen e VI-të dhe të fundit për vitin 2025.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u miratuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, përfshirë vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes së sigurisë në territorin e Komunës së Dragashit për vitin 2025, si dhe raportet vjetore të institucioneve përkatëse.
Përfaqësuesit e Stacionit Policor në Dragash dhe të Policisë Kufitare raportuan se situata e sigurisë gjatë vitit 2025 ka qenë përgjithësisht stabile, duke theksuar se kjo gjendje është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Zeni Krasniqi, prezantoi raportin vjetor për sektorin e arsimit, me theks të veçantë në sigurinë në shkolla dhe zbatimin e Planit për Siguri në Shkolla.
Ndërkohë, znj. Lindita Kozmaqi Piraj paraqiti raportin e saj vjetor, duke informuar anëtarët e KKSB-së për aktivitetet dhe angazhimet e realizuara në fushën e barazisë gjinore gjatë vitit 2025.
Gjatë mbledhjes u trajtua edhe çështja e përgatitjeve dimërore dhe mirëmbajtjes së rrugëve lokale, për të cilat Drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, z. Regjep Ibraimi, theksoi nevojën për gatishmëri dhe koordinim institucional gjatë sezonit dimëror.
Po ashtu, u diskutua edhe vetëdijesimi i qytetarëve për rreziqet nga përdorimi i mjeteve piroteknike, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe ruajtjen e sigurisë publike.
Në përmbyllje të takimit, Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë anëtarët e KKSB-së për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë gjatë vitit 2025, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës së përbashkët për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Dragashit.

Original Facebook objava