Botë

Kërkohet rritja e tarifave të rrymës për vitin 2026, ZRRE: Do të aprovohen vetëm kostot e arsyeshme Tre operatorët kr…

29.01.2026. 3 min čitanja

Kërkohet rritja e tarifave të rrymës për vitin 2026, ZRRE: Do të aprovohen vetëm kostot e arsyeshme

Tre operatorët kryesorë energjetikë në Kosovë kanë dorëzuar kërkesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Kërkesat për shtrenjtim të rrymës janë parashtruar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Zyrtarë të ZRRE-së kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se këto kërkesa do t’i nënshtrohen një procesi të detajuar shqyrtimi dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme dhe të justifikuara.

Sipas aplikimit të dorëzuar, KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, duke kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale të arrijnë në 528.78 milionë euro.

“Pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme për vitin e ardhshëm, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë euro”, thuhet në aplikimin e KESCO-s drejtuar ZRRE-së.

Vitin e kaluar, kjo kompani kishte kërkuar rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE kishte aprovuar 436 milionë euro. Si arsye për rritjen aktuale, KESCO përmend shpenzimet operative, koston e importit të energjisë, sigurimin e furnizimit gjatë dimrit, si dhe rritjen e pagave të punëtorëve.

Ndërkohë, KEDS ka kërkuar të hyra në vlerë prej 235 milionë euro, apo 21 milionë euro më shumë krahasuar me kërkesën e vitit të kaluar, e cila ishte 214 milionë euro. Vitin e kaluar, ZRRE kishte aprovuar për KEDS-in 180.653 milionë euro.

Edhe KOSTT ka parashtruar kërkesë për të hyra mbi 99 milionë euro, duke u thirrur në nevojën për ofrimin e shërbimeve më cilësore për konsumatorët. Vitin e kaluar, kjo kompani kishte kërkuar rreth 102 milionë euro, ndërsa ZRRE kishte aprovuar 88 milionë euro.

ZRRE çdo vit bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Vitin e kaluar, rregullatori kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që e tejkalojnë këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Ndërkaq, gjatë tarifës së lirë të natës, nga ora 23:00 deri në 08:00, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë paguajnë 3.88 centë për kilovat, ndërsa ata mbi këtë prag paguajnë 7.28 centë për kilovat.

— Dragash Info

Original Facebook objava