KEK njofton rikthimin në operim të Njësisë B1, sigurohet kapacitet i plotë i prodhimit Korporata Energjetike e Kosovë…
KEK njofton rikthimin në operim të Njësisë B1, sigurohet kapacitet i plotë i prodhimit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer në operim dhe aktualisht po funksionon në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me të gjithë parametrat teknikë dhe të sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, me rikthimin e Njësisë B1, KEK tani po operon me katër njësi prodhuese, çka nënkupton kapacitet të plotë të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe stabilitet të sistemit elektroenergjetik në vend.
Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 kishte ardhur si pasojë e rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. Ky problem, sipas KEK-ut, është adresuar përmes ndërhyrjeve teknike profesionale dhe sanimeve të planifikuara, pa rrezikuar sigurinë apo integritetin e njësisë prodhuese.
Në të njëjtën kohë, KEK ka sqaruar opinionin publik se përgjegjësitë në sektorin energjetik janë të ndara me ligj. Korporata thekson se që nga viti 2013, ajo është përgjegjëse vetëm për eksploatimin e thëngjillit dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve të rregulluar me energji elektrike nuk është kompetencë e KEK-ut, por e kompanisë përkatëse të furnizimit.
— Dragash Info