Katër të mitur e fusin një person në veturë dhe i shkaktojnë lëndime – ky dyshohet të jetë motivi Policia e Kosovës k…
Katër të mitur e fusin një person në veturë dhe i shkaktojnë lëndime – ky dyshohet të jetë motivi
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prizren ka ndodhur një rast i privimit të kundërligjshëm nga liria, ku disa persona të dyshuar kanë futur me forcë një person në veturë dhe e kanë liruar pas rreth një ore, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur më 24.01.2026, rreth orës 11:52, në fshatin Piranë të Prizrenit.
“Katër persona të dyshuar, dyshohet se me forcë e kanë futur në veturën e tipit Seat me targa vendore viktimën, mashkull kosovar.
Dyshohet se motivi i rastit lidhet me faktin se viktima kishte pasur më herët komunikim përmes rrjeteve sociale me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarit, sipas policisë, pas rreth një ore e kanë liruar viktimën, e cila kishte lëndime të dukshme trupore. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore.
Policia bën të ditur se katër persona janë arrestuar, prej tyre njëri i mitur. Si prova materiale janë sekuestruar vetura e përdorur në rast, katër telefona mobilë dhe një elektroshok.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt,” thuhet më tej në njoftim.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
— Dragash Info