Botë

Kandidat i VV-së për asamblist arrestohet nën dyshimin për shpërndarje të drogës Kushtrim Ramadani, ish-kandidat i Lë…

20.02.2026. 2 min čitanja

Kandidat i VV-së për asamblist arrestohet nën dyshimin për shpërndarje të drogës

Kushtrim Ramadani, ish-kandidat i Lëvizja Vetëvendosje për asamblist në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike, të llojit kokainë.

Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë një operacioni policor për hetimin e narkotikëve, të realizuar të enjten. Sipas njoftimeve, ai është ndaluar gjatë bastisjes së një lokali të ushqimit të shpejtë (fast-food) në rrugën “Andrea Gropa”, pas dyshimeve se pronari merrej me veprimtari të kundërligjshme.

Gjatë aksionit, organet e rendit kanë sekuestruar tri qese me substancë të dyshuar kokainë me peshë rreth 4 gramë, një peshore digjitale, 240 qese të zbrazëta që dyshohet se shërbenin për paketim, një revole të tipit Zastava, një karikator me 3 fishekë të kalibrit 25 Auto PPU, 1300 euro para të gatshme si dhe dy telefona mobilë.

Në listën e Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, Ramadani mbante numrin 38.

Ky nuk është rasti i vetëm ku aktivistë të kësaj partie janë përfshirë në çështje të ngjashme. Në vitin 2023, Besnik Mujeci, aktivist i VV-së në Prishtinë, ishte arrestuar në Shqipëri për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Po ashtu, më 24 gusht 2025, ishte arrestuar edhe Rinas Zeqiri, kandidat i VV-së për asamblist në Novobërdë. Ai ishte ndaluar gjatë një aksioni policor në fshatin Zhegoc të Gjilan, ku ishte zbuluar një parcelë me rreth 500 bimë kanabis sativa.

Rasti ndaj Ramadanit po trajtohet nga organet kompetente dhe pritet të dalë para drejtësisë në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

— Dragash Info

Original Facebook objava