Kandidat i PDK-së reagon pas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në Opojë dhe Gorë Pas problemeve të vazh…
Kandidat i PDK-së reagon pas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në Opojë dhe Gorë
Pas problemeve të vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në rajonin e Prizrenit, e veçanërisht në trevën e Opojës dhe Gorës në Komunën e Dragashit, kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hamdi Muhameti, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Në postimin e tij të fundit Muhameti ka theksuar se mungesa e rrymës, e cila ka prekur banorët për periudha të gjata, duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen.
“Terri nga mungesa e rrymës le të jetë mësim, që nga 28.12.25 të kemi dritë pa ndërprerje”, ka shkruar ai, duke shoqëruar mesazhin me thirrje për ndryshim dhe përgjegjësi institucionale.
Ai ka nënvizuar se banorët e kësaj ane, për një kohë të gjatë, kanë qenë më shumë pa energji elektrike sesa me të, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme, ekonominë familjare dhe shërbimet bazë.
Reagimi i tij vjen në prag të zgjedhjeve dhe shihet si reflektim i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj problemeve infrastrukturore që vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura në këtë pjesë të vendit.