Kajtazi kritikon LDK-në: Merren me Thaçin, ndërsa Vjosa Osmani dhe Albin Kurti i mposhtën me votat e tyre Gazetari dh…
Kajtazi kritikon LDK-në: Merren me Thaçin, ndërsa Vjosa Osmani dhe Albin Kurti i mposhtën me votat e tyre
Gazetari dhe opinionisti Vehbi Kajtazi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas deklaratave të deputetit Besian Mustafa, i cili tha se LDK-ja ka gabuar kur e ka bërë Hashim Thaçi president.
Pas këtyre qëndrimeve, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i dalë në mbrojtje Mustafës dhe duke i cilësuar si “mercenarë” ata që kundërshtuan deklaratat e tij. Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e fortë nga brenda, pa iu referuar humbjeve të thella në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në këtë kontekst, Kajtazi ka ironizuar fokusin e LDK-së ndaj Thaçit, i cili tash e pesë vjet ndodhet në paraburgim në Hagë. Sipas tij, kjo “luftë politike” është e pakuptimtë.
“Po më pëlqen lufta e LDK-së me një të paraburgosur tash e pesë vjet në Hagë. Veç nuk po e di a janë në dijeni këta ‘luftëtarë’ se Thaçi nuk është as president e as kryeministër,” ka deklaruar Kajtazi.
Ai ka shtuar se Vjosa Osmani, e cila sipas tij “e ka dërrmuar LDK-në”, është presidente falë votave të deputetëve të kësaj partie, ndërsa Albin Kurti ka fituar edhe një mandat me mbi 51 për qind të votave, po ashtu me mbështetje nga votat e LDK-së.
“Ja pse Albini është ‘PN’, sepse nuk ka më nevojë të merret me kundërshtarë politikë. Mbase nuk ekzistojnë më,” ka përfunduar Kajtazi.
— Dragash Info