Kabashi kërkon dorëheqjen e kryesisë së LDK-së në Prizren dhe mbajtjen urgjente të Kuvendit të Degës Ish-funksionari…
Kabashi kërkon dorëheqjen e kryesisë së LDK-së në Prizren dhe mbajtjen urgjente të Kuvendit të Degës
Ish-funksionari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Dr. Fejzë Kabashi, ka bërë thirrje publike për dorëheqjen e menjëhershme të të gjithë anëtarëve të kryesisë dhe kryetarëve të nëndegëve të LDK-së në këtë qytet, duke kërkuar hapjen urgjente të rrugës për mbajtjen e Kuvendit të Degës.
Përmes një reagimi publik, Kabashi u është drejtuar anëtarëve aktualë të strukturave drejtuese të LDK-së në Prizren, duke theksuar se qëndrimi i tyre në funksione përbën bashkëpunim me, siç e quan ai, një udhëheqje që ka dështuar në mbrojtjen e votës dhe interesit të anëtarësisë.
“Kush e do të mirën e degës nuk duhet të vazhdojë të mbetet bashkëpunëtor i një kryetari, i cili është betuar me fjalë se do ta mbrojë votën e secilit në secilat zgjedhje, ndërsa sot është e qartë se kjo nuk ka ndodhur,” thuhet në reagimin e Kabashit.
Ai shton se, sipas tij, udhëheqja aktuale e degës nuk ka pasur asnjëherë mbështetjen e më shumë se 30 për qind të votuesve të LDK-së në Prizren, gjë që, sipas Kabashit, e bën të domosdoshme një riorganizim të plotë përmes Kuvendit të Degës.
Kabashi i ka ftuar të gjithë funksionarët aktualë që të japin dorëheqje “për të mirën e degës dhe rikthimin e besimit te anëtarësia”, duke e përmbyllur reagimin e tij me thirrjen “shpirtnisht”.
Dr. Fejzë Kabashi ka qenë më herët funksionar i Degës së LDK-së në Prizren.
— Dragash Info