Botë

Jamie Shea: Nuk dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO

24.03.2026. 2 min čitanja

Jamie Shea: Nuk dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka deklaruar se dëshira e tij e madhe është që ta shohë Kosovan si pjesë të Aleancës para se të largohet nga kjo botë. Duke folur 27 vite pas ndërhyrjes së NATO-s, Shea u shpreh se ndihet shumë i lumtur për rolin që pati aleanca në atë periudhë, duke e cilësuar fushatën ajrore si të drejtë dhe të nevojshme. “Nuk ka qenë e lehtë të arrihej konsensusi për një veprim të tillë dhe operacioni ushtarak ka qenë i vështirë dhe kompleks, siç e din secili në Kosovë. Por pas 27 vitesh, mendoj se ishte vendimi i duhur. Ishte i domosdoshëm”, tha ai në emisionin “Interaktiv” në KTV. Shea shtoi se do të ndihej i zhgënjyer nëse nuk do ta shihte Kosovën si pjesë të NATO-s, duke theksuar se kjo është një arritje që ai beson se do të realizohet. “Do të isha shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën në NATO. Mendoj se kjo do të ndodhë. Aleancës i duhet më shumë imagjinatë kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk mund të lejojmë që mosnjohja nga disa aleatë të bllokojë progresin. Nuk ka arsye pse Kosova të mos jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe”, u shpreh Shea. — Dragash Info