Ilir Baldedaj: Komuna e Hasit është domosdoshmëri institucionale Ilir Baldedaj, ish-kuvendar në Kuvendin Komunal të P…
Ilir Baldedaj: Komuna e Hasit është domosdoshmëri institucionale
Ilir Baldedaj, ish-kuvendar në Kuvendin Komunal të Prizrenit dhe ekspert i njohur për qeverisjen lokale, shpreh mbështetje të plotë për krijimin e Komunës së Hasit. Në një postim në Facebook, Baldedaj thekson se kjo nismë nuk cenon integritetin territorial të Kosovës, por përfaqëson një riorganizim funksional administrativ në shërbim të qytetarëve, duke respektuar parimet e kushtetuara të vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit rajonal të barabartë.
“Si aktivist i angazhuar në Has që nga viti 2007, mbështes fuqishëm këtë iniciativë. Themelimi i Komunës së Hasit është domosdoshmëri institucionale për përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal”, shkruan Baldedaj.
Ai shton se iniciativa mbështetet fuqishëm në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Kufijtë Administrativë dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
Eksperti ngre gjithashtu çështje serioze lidhur me llogaritjen financiare: “Duke ditur se grantet qeveritare për kokë banori variojnë nga 120 deri në 200 euro në vit, shtrohet pyetja legjitime: sa mjete që u takojnë banorëve të Hasit nuk janë investuar ndër vite nga Komuna e Gjakovës dhe ajo e Prizrenit? Kjo kërkon transparencë buxhetore, analizë të ndarjes së fondeve dhe përgjegjësi institucionale, për të garantuar trajtim të drejtë dhe proporcional për Hasin.”
Baldedaj përfundon duke theksuar se themelimi i komunës nuk është vetëm çështje administrative, por një hap strategjik për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
— Dragash Info