Hoxhaj kritikon Kurtin dhe Osmanin: “Koalicioni i shpresës u shndërrua në boshtin e së keqes”
Enver Hoxhaj kritikon Kurtin dhe Osmanin: “Koalicioni i shpresës u shndërrua në boshtin e së keqes” Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se përplasjet mes tyre po i shkaktojnë dëm vendit. Në një video-adresim publik, Hoxhaj ka deklaruar se perceptimi se përçarja politike mes Osmanit dhe Kurtit është në favor të opozitës është i gabuar. “Armiku i armikut tim është miku im. Kështu mendonin romakët, kështu po mendojnë ende disa sot në Kosovë se armiqësia politike mes ish-presidentes dhe ish-kryeministrit është në favor të opozitës”, është shprehur ai. Sipas Hoxhajt, përplasja politike mes dy figurave që dikur konsideroheshin pjesë e të njëjtit kamp politik është dëshmi se, siç tha ai, “koalicioni i shpresës” është shndërruar në “boshtin e së keqes”. Ai theksoi se kjo situatë nuk është në të mirë të opozitës, por tregon, sipas tij, dëmin që i është bërë Kosovës nga përplasjet politike në skenën institucionale. — Dragash Info