Hoxhaj: Është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që synon BE-në
Hoxhaj: Është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që synon BE-në
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët po kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Hoxhaj ka theksuar se kërkesa e tyre është e drejtë dhe përfaqëson një standard themelor të barazisë dhe demokracisë në një shtet multietnik. “E drejta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimet në gjuhën shqipe është një standard themelor i barazisë dhe demokracisë. Gjuha shqipe duhet të respektohet plotësisht në arsim dhe në institucionet publike, si pjesë e karakterit multietnik dhe evropian të shtetit. Barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues,” ka shkruar Hoxhaj. Ai e ka cilësuar si absurde që përdorimi i gjuhës shqipe të kthehet në çështje në një shtet që është anëtar i NATO dhe që synon integrimin në Bashkimi Evropian. Ndërkohë, të hënën në Shkup pritet të mbahet një protestë masive nga studentët shqiptarë, pasi atyre po u pamundësohet mbajtja e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare, ndonëse studimet i kanë ndjekur për katër vite në shqip. — Dragash Info