Hisen Berisha reagon ashpër ndaj Lumir Abdixhikut: “E ke kaluar vijën, rëndë dhe pa kthim” Ish-deputeti dhe veterani…
Hisen Berisha reagon ashpër ndaj Lumir Abdixhikut: “E ke kaluar vijën, rëndë dhe pa kthim”
Ish-deputeti dhe veterani i luftës, Hisen Berisha, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar se me deklaratat e tij ka “shkelur rëndë” mbi vlerat e luftës, sakrificës dhe themeleve të shtetësisë së Kosovës.
Në një reagim të gjatë publik, Berisha shprehet se ka pritur disa ditë që nga brenda LDK-së të ketë reagime kundër, siç e quan ai, një gjuhe që fyen luftën dhe përçmon sakrificën e luftëtarëve të lirisë. Sipas tij, heshtja brenda kësaj partie përbën rreshtim politik dhe devijim serioz nga trashëgimia rugoviane.
Berisha e cilëson përdorimin e termit “mercenar” nga Abdixhiku si akt të qëllimshëm politik dhe jo si lapsus gjuhësor, duke theksuar se një gjuhë e tillë godet drejtpërdrejt figurat dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës.
Ai, po ashtu, ka kritikuar ashpër bashkëpunimin dhe orientimin ideologjik që, sipas tij, Abdixhiku ndan me Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, duke i akuzuar për përpjekje të qëllimshme për dobësimin e shtetit të Kosovës dhe luftë politike ndaj figurave shtetformuese, përfshirë Hashim Thaçin.
Në reagimin e tij, Berisha përmend figurat historike të rezistencës dhe luftës për liri, si Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku, duke theksuar se luftëtarët nuk janë “mercenarë”, por themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.
“Historia nuk rishkruhet. Ata nuk janë mercenarë. Ata janë themeli mbi të cilin qëndron ende ky shtet, pavarësisht jush”, përfundon reagimin e tij Hisen Berisha.
— Dragash Info