Haziz Hodaj propozon ngritjen e memorialit në Prizren për solidaritetin e Kukësit gjatë eksodit të 1999
Haziz Hodaj propozon ngritjen e memorialit në Prizren për solidaritetin e Kukësit gjatë eksodit të 1999
Anëtari i LDK-së në Kuvendin e Prizrenit, Haziz Hodaj, ka propozuar ngritjen e një monumenti përkujtimor në Prizren në shenjë të mirënjohjes ndaj popullatës së Kukësit, për mikpritjen e dhënë gjatë eksodit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Nisma e Hodajt i është drejtuar kryetarit të komunës, Shaqir Totaj, dhe Kuvendit të Komunës, duke theksuar detyrimin moral ndaj Kukësit, i cili strehoi qindra mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Sipas Hodajt, Prizreni duhet të institucionalizojë këtë kujtesë historike. Propozimi parashikon ngritjen e një memoriali me tematikë solidaritetin e Kukësit, ndërsa forma konkrete e tij, qoftë obelisk apo instalacion tjetër, ende nuk është përcaktuar. Po ashtu, Hodaj sugjeron organizimin e një manifestimi vjetor kulturo-historik dhe krijimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Prizrenit dhe Kukësit. Gjatë luftës 1998–1999, rreth një milion shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa Kukësi u bë një nga qendrat kryesore të pritjes, duke u bërë shembull i solidaritetit ndërshqiptar. — Dragash Info