Haxhiu merr sot detyrën e u.d. së Presidentes, përballet me vendimin për KQZ-në
Haxhiu merr sot detyrën e u.d. së Presidentes, përballet me vendimin për KQZ-në
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pritet që sot të marrë edhe detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosova, pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale Vjosa Osmani. Ceremonia e pranim-dorëzimit pritet të mbahet nga ora 16:00, duke bërë që Haxhiu të mbajë njëkohësisht dy funksione – atë të kryetares së Kuvendit dhe të ushtrueses së detyrës së Presidentes, kompetencë që Kushtetuta e lejon për një periudhë deri në 6 muaj. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Haxhiu pritet të përballet me një çështje të ndjeshme politike dhe institucionale – emërimin e anëtarit të dhjetë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Kjo çështje ka ngjallur debat, pasi si Partia Demokratike e Kosovës ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pretendime për këtë vend. Njohës të kushtetutës kanë theksuar se, bazuar në praktikat e deritanishme dhe interpretimet ligjore, kjo ulëse i takon PDK-së. Presidentja në largim, Vjosa Osmani, nuk ndërmori hap për emërimin e këtij anëtari gjatë mandatit të saj, duke e lënë këtë vendim për pasardhësen në detyrë. Nga ana tjetër, PDK ka paralajmëruar se nëse i mohohet e drejta për përfaqësim në KQZ, do t’i drejtohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sipas tyre, Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht neni 139, përcakton qartë mënyrën e ndarjes së ulëseve në KQZ për grupet parlamentare shqiptare, dhe çdo devijim nga kjo mund të konsiderohet shkelje kushtetuese. Vendimi që pritet të marrë Haxhiu shihet si test i parë i rëndësishëm në detyrën e saj të re dhe mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në vend. — Dragash Info