Hashim Thaçi ankohet në Gjykatën Kushtetuese: Pretendon shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe incizim të fsh…
Hashim Thaçi ankohet në Gjykatën Kushtetuese: Pretendon shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe incizim të fshehtë të bisedave private
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke pretenduar shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut në kuadër të rastit të dytë për pengim të drejtësisë.
Në parashtresën e dorëzuar, avokatët e Thaçit theksojnë se ndaj tij janë ndërmarrë veprime të paligjshme procedurale, përfshirë incizimin e fshehtë të bisedave private, sekuestrimin e pajisjeve personale dhe kufizime të pajustifikuara gjatë paraburgimit.
Për shkak të ankesës, kryetarja e Gjykatës Speciale ka caktuar panelin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili do ta shqyrtojë rastin.
Pretendime për caktim të paligjshëm të gjyqtarëve
Sipas mbrojtjes, Hashim Thaçi është viktimë e shkeljeve kushtetuese që lidhen me caktimin e paligjshëm të Gjyqtarit të Vetëm dhe Gjyqtarëve të Procedurës Paraprake. Avokatët theksojnë se këta gjyqtarë kanë nxjerrë vendime ndaj Thaçit, pavarësisht se nuk janë caktuar në përputhje me ligjin.
“Në bazë të këtyre vendimeve, janë autorizuar masa serioze ndërhyrëse ndaj z. Thaçi, përfshirë regjistrimin e fshehtë të vizitave dhe telefonatave të tij në qendrën e paraburgimit, sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit personal, ndalimin e përsëritur, vazhdimin e paraburgimit dhe kufizime ndaj vizitorëve të tij personalë”, thuhet në parashtresë.
“Proces i njollosur nga veprime joligjore”
Mbrojtja vlerëson se këto shkelje nuk mund të korrigjohen në fazat e mëvonshme të procedurës dhe se i gjithë procesi është ndërtuar mbi prova të mbledhura në mënyrë të paligjshme.
“Shkeljet e Nenit 31 të Kushtetutës nuk mund të riparohen. Aktakuza është ngritur mbi prova të autorizuara nga gjyqtarë që nuk janë caktuar në mënyrë të rregullt sipas ligjit. Për pasojë, aktakuza është juridikisht e pavlefshme dhe mund të korrigjohet vetëm përmes një vendimi të ri nga një gjyqtar i caktuar ligjërisht”, thuhet më tej.
Incizim i fshehtë dhe cenim i privatësisë
Një nga pikat kyçe të ankesës ka të bëjë me të drejtën e privatësisë. Avokatët theksojnë se, përmes urdhrave gjyqësorë, bisedat private të Thaçit janë incizuar fshehtas dhe janë vënë në dispozicion të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Janë dhënë urdhra që mundësonin regjistrimin e fshehtë të bisedave private të z. Thaçi dhe aksesin në to nga ZPS-ja. Po ashtu, janë sekuestruar dhe kontrolluar pajisjet e tij personale, përfshirë kompjuterin, me të dhëna që përmbanin korrespondencë dhe shkrime personale”, thuhet në parashtresë.
Kërkesat e mbrojtjes
Në përfundim, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkon nga Gjykata Kushtetuese që:
të konstatojë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut,
të vlerësojë se incizimi i fshehtë i bisedave dhe sekuestrimi i pajisjeve kanë cenuar rëndë privatësinë,
dhe të konstatojë se aktakuza është e ndërtuar mbi shkelje procedurale serioze.
Rasti pritet të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese në javët në vijim.
— Dragash Info