Botë

Harry Bajraktari: Në Bordin e Paqes, Kosovës i erdhën nëntë njohje de facto – Trumpi të ndërmjetësojë për t’i zyrtari…

25.01.2026. 2 min čitanja

Harry Bajraktari: Në Bordin e Paqes, Kosovës i erdhën nëntë njohje de facto – Trumpi të ndërmjetësojë për t’i zyrtarizuar

Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka deklaruar se Kosova ka fituar nëntë njohje de facto, përmes përfshirjes së saj në Bordin e Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump, ku marrin pjesë edhe shtete që ende nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Bajraktari ka theksuar se shtetet mosnjohëse – Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Indonezia, Kazakistani, Paraguai, Uzbekistani, Mongolia dhe Maroku – tashmë ulen si të barabarta me Republikën e Kosovës në këtë forum prestigjioz ndërkombëtar.

“Shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës tani ulen si të barabarta me Kosovën në Bordin e Paqes të Presidentit Trump. Kjo përbën nëntë njohje de facto për Kosovën”, ka shkruar Bajraktari.

Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja e përbashkët në këtë forum elitar nënkupton pranimin praktik të shtetësisë së Kosovës dhe ka bërë thirrje që ky hap të formalizohet edhe diplomatikisht.

“Tani është koha që kjo të bëhet zyrtare. U bëj thirrje udhëheqësve të këtyre shteteve që ta njohin Kosovën menjëherë”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Bajraktari i ka bërë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që të kontaktojë drejtpërdrejt krerët e këtyre shteteve për të siguruar njohje të plotë diplomatike.

Në fund, ai ka apeluar edhe te Presidenti amerikan Donald Trump që të ndërmjetësojë në procesin e zyrtarizimit të këtyre njohjeve, duke theksuar se kjo do të forconte misionin global për paqe dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

— Dragash Info

Original Facebook objava