Gucati: Protestat dhanë efekt në Gjykatën Speciale, Thaçit po i lejohet komunikimi me familjen përmes “Zoom” Kryetari…
Gucati: Protestat dhanë efekt në Gjykatën Speciale, Thaçit po i lejohet komunikimi me familjen përmes “Zoom”
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se protestat e organizuara kundër Gjykatës Speciale kanë dhënë efekt pozitiv, duke ndikuar në ndryshime konkrete në trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një intervistë për emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova, Gucati tha se këto informacione i kanë marrë nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke theksuar se tashmë janë vërejtur ndryshime të rëndësishme brenda gjykatës.
Sipas tij, një nga këto ndryshime është edhe lejimi i komunikimit të ish-presidentit Hashim Thaçi me familjen e tij përmes platformës “Zoom”.
“Protestat kanë pasur efektin e vet në mënyrë pozitive. Ky është një informacion që e kemi marrë nga mbrojtja e grupit, Thaçi dhe të tjerët.
Ka pasur efekt shumë të mirë dhe kanë filluar disa gjëra që të ndryshojnë në mënyrë drastike brenda gjykatës. Thaçit po i lejohet të flasë në Zoom me familjen”, ka deklaruar Gucati.
Kryetari i OVL-UÇK-së ka shprehur gjithashtu optimizëm për përfundimin e procesit gjyqësor, duke thënë se shpreson që vendimi të jetë në favor të të akuzuarve.
“Shpresoj që në pranverën e vonshme ta festojmë lirimin e tyre”, u shpreh ai.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon të jetë temë e ndjeshme dhe e përcjellë me reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë.
— Dragash Info